Iseni: Prokuroria të hetojë lidhjet financiare mes Kërçovës dhe Beogradit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare për transaksionet që lidhen me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut. Në një konferencë për media, Iseni ka ngritur dyshime për lidhjen mes një kredie prej pesë milionë eurosh, të dhënë në qershor të vitit 2025 nga “Alta Banka” në Beograd, dhe shitjes së aksioneve të “Stopanska Bankës” së Manastirit, e cila më vonë u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”.

Sipas Isenit, në tetor të vitit 2024, kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selahudin Arifit, të cilin ai e cilësoi si krushk të Ali Ahmetit, kishte blerë një pako të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit.

Ai pretendon se më 9 qershor 2025, një kompani e lidhur me këtë rrjet biznesi kishte marrë kredi prej pesë milionë eurosh drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.

Sipas kronologjisë së paraqitur nga zëvendësministri, më 17 shtator 2025, kompania “AS Senjak” ia kishte shitur aksionet e saj në bankën e Manastirit pikërisht Davor Macurës dhe “Alta Bankës”.

“Skema në relacionin Zajaz – Kërçovë – Beograd është e qartë si kristali”, deklaroi Iseni, duke ngritur dyshime se kredia milionëshe dhe shitja e aksioneve mund të kenë qenë pjesë e një marrëveshjeje të ndërlidhur.

Ai shtroi disa pyetje publike, mes tyre nëse kredia prej pesë milionë eurosh mund të ketë shërbyer për financimin e hyrjes së Macurës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut dhe nëse shitja e aksioneve në shtator ka qenë një kompensim i paracaktuar për kredinë e dhënë tre muaj më parë.

Iseni kërkoi gjithashtu të sqarohet se sa ka qenë fitimi nga shitja e aksioneve dhe nëse persona të lidhur me rrethin familjar të Ali Ahmetit kanë përfituar financiarisht nga ky transaksion.

Në konferencë, zëvendësministri ngriti pikëpyetje edhe për rolin e ish-funksionarëve të BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, të cilët, sipas tij, kishin mbështetur hyrjen e “Alta Bankës” në sektorin financiar të vendit.

Në fund, Iseni kërkoi që institucionet kompetente të hetojnë në mënyrë të ndërlidhur kredinë e 9 qershorit 2025 dhe shitjen e aksioneve të 17 shtatorit 2025, me qëllim që të përcaktohet nëse ka pasur shkelje ligjore dhe përgjegjësi financiare apo penale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button