Forcat izraelite bombardojnë pesë qyteza në Libanin jugor, dronët fluturojnë ulët mbi Bejrut

Ushtria izraelite të premten kreu bombardime me artileri dhe të shtëna me mitraloz ndaj pesë qytezave në jug të Libanit, ndërsa dronët fluturuan në lartësi të ulët mbi kryeqytetin Bejrut, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se një tank izraelit hodhi dy predha artilerie në drejtim të një shtëpie në zonën Al-Mashaa të qytezës Mayfadoun, në rrethin Nabatieh.
Në rrethin Marjayoun, artileria izraelite shënjestroi qytezat Tallousa dhe Bani Hayyan, ndërsa ndaj Tallousas u qëllua edhe me mitraloz.
Në rrethin e Tirit, granatimet me artileri goditën qytezat Majdal Zoun dhe Buyout al-Sayyad, ndërsa forcat izraelite hapën zjarr me mitraloz në drejtim të rrugës kryesore që çon në qytezën Al-Mansouri.
Agjencia raportoi gjithashtu se dronë fluturuan në lartësi të ulët mbi Bejrut, pa kryer sulme.
Nga bombardimet dhe të shtënat nuk raportohet për viktima apo persona të plagosur.
Sulmet ndodhin pavarësisht marrëveshjes kornizë të nënshkruar nga Bejruti dhe Tel Avivi, me ndërmjetësimin e SHBA-së, më 26 qershor, e cila parasheh tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara, paralelisht me vendosjen e ushtrisë libaneze.
Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuara zona në jug të Libanit, disa prej të cilave i kontrollon prej dekadash, ndërsa të tjerat që i mori gjatë luftës së viteve 2023–2024, kur forcat tokësore izraelite përparuan rreth 10 kilometra brenda territorit libanez.


