OKB-ja “thellësisht e alarmuar” nga sulmi ajror izraelit ndaj Spitalit Nasser në Gaza

OKB-ja ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me një sulm ajror izraelit ndaj Spitalit Nasser në Rripin e Gazës, ku mbetën të vrarë gjashtë persona, u plagosën 27 të tjerë dhe u shkaktuan dëme të mëdha në objektin mjekësor, transmeton Anadolu.
“Koordinatori special në detyrë është thellësisht i alarmuar nga sulmi ajror izraelit ndaj Spitalit Nasser në Gaza mbrëmjen e kaluar, i cili la të vrarë gjashtë persona, plagosi 27 të tjerë dhe shkaktoi dëme të mëdha në objekt”, tha zv/zëdhënësi Farhan Haq.
Haq tha se koordinatori special në detyrë i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Ramiz Alakbarov, tha se dhuna e vazhdueshme dhe shtimi i fundit i operacioneve ushtarake përkeqësojnë vuajtjet e mëdha njerëzore në Gaza dhe rrezikojnë armëpushimin gjithnjë e më të brishtë.
“Koordinatori special përsërit thirrjen e tij për qasje të shpejtë, të sigurt dhe pa pengesa për ndihmën humanitare, përfshirë hyrjen e materialeve për strehim afatgjatë dhe artikujve për përgatitjen ndaj dimrit, me qëllim lehtësimin e vuajtjeve të popullsisë, ndërsa afrohen muajt më të ftohtë”, tha ai.



