Pretendime për parregullsi në UNT: Komisioni recenzues anashkalon kuadër me notë mesatare 9.89 për ta punësuar Nora Taravarin, bashkëshorten e liderit të ASH-së Arben Taravari

Një konkurs për zgjedhjen e një docenteje në Universitetin “Nëna Terezë” ka nxitur reagime dhe kundërshtime nga kandidatët që nuk janë përzgjedhur. Komisioni recensues ka propozuar Nora Taravarin, bashkëshorten e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, duke konstatuar se ajo është kandidatja e vetme që i plotëson kushtet ligjore, raportoi ditë më parë 360 stepeni.
Rasti u bë publik edhe përmes reagimit të deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, e cila ngriti pikëpyetje për meritokracinë në këtë përzgjedhje.
“Sipas të dhënave publike, kjo është një kandidate pa përvojë të mëparshme në arsimin e lartë. Nëse ky është standardi për meritokracinë dhe parimet që na i predikon Taravari, atëherë duket se kriteret kanë ndryshuar. Kaq nga meritokracia, kaq nga parimet”, shkroi deputetja Imeri Stafai.
Konkursi ishte shpallur më 22 shtator, ndërsa afati për aplikim zgjati vetëm tri ditë. Në të konkurruan tre kandidatë: Nora Taravari, Qazime Sherifi dhe Deniz Memedi. Dy kandidatët e fundit kanë disa vite përvojë si ligjërues të jashtëm në Universitetin “Nëna Terezë”, në fushën e integrimeve evropiane.
Megjithatë, në raportin e komisionit recensues është vlerësuar dhe arsyetuar vetëm kandidatura e Taravarit, pa u shpjeguar pse dy kandidatët e tjerë nuk i plotësojnë kushtet.
Kandidatja Qazime Sherifi ka paraqitur ankesë prej 11 faqesh, duke kontestuar procedurën dhe përbërjen e komisionit. Ajo kërkon sqarime se pse është përjashtuar nga gara, pa iu specifikuar se cilin kusht ligjor nuk e plotëson.
Sherifi thekson se ka përfunduar studimet në Shkenca Politike me mesatare 9,44, si dhe ka kryer magjistraturën dhe doktoraturën në të njëjtën fushë. Ajo tashmë ka dorëzuar edhe ankesë në Senatin e universitetit, duke kërkuar rishqyrtimin e procedurës dhe formimin e një komisioni të ri.
Edhe kandidati tjetër, Deniz Memedi, ka reaguar përmes një deklarate për “360 Stepeni”. Ai thotë se nuk ka arritur të paraqesë ankesë për shkak të obligimeve familjare, por konsideron se komisioni ka bërë lëshime.
Sipas tij, komisioni ka qenë i obliguar t’i vlerësojë të tre kandidatët, ndërsa në rastin konkret është shqyrtuar vetëm një kandidaturë.
Memedi nka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Politike me mesatare 9,87, masterin në Diplomaci me 9,89 dhe doktoraturën në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “Yildiz Teknik” në Turqi me mesatare 9,51.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit “Nëna Terezë”, Bekim Fetai, ka njoftuar se procedura ende nuk ka përfunduar dhe se organet kompetente nuk kanë marrë vendim përfundimtar për zgjedhjen e kandidates.



