Nga sot formularë dhe kode të reja për pagesa, ja çfarë ndryshon për qytetarët

Nga sot, 9 nëntor, ka nisur zbatimi i standardeve të reja në qarkullimin e pagesave vendase në denarë.
Llogaritë në denarë do të shfaqen në formatin IBAN, fletëpagesat e deritanishme zëvendësohen me urdhërpagesa të reja, kurse ndryshojnë edhe kodet për qëllimin e pagesave.
Numri ekzistues i llogarisë në denarë mbetet i njëjtë. Gjatë shfaqjes në formatin IBAN, para tij shtohet prefiksi “MK07”.
Qytetarët dhe kompanitë nuk kanë nevojë të hapin llogari të reja ose të transferojnë mjetet. Përshtatjet në bankimin elektronik dhe mobil bëhen nga bankat, kurse klientët duhet të ndjekin udhëzimet e bankës së tyre për futjen e numrit të llogarisë.
Formularët e deritanishëm PP10, PP30, PP40, PP50 dhe PP53 zëvendësohen me urdhërpagesa të standardizuara në formë letre dhe elektronike.
Ndryshojnë renditja dhe përmbajtja e fushave, ndërsa te urdhërpagesat e caktuara do të kërkohen edhe të dhëna adrese për paguesin dhe marrësin.
Për qëllimin e pagesave vendase në denarë, nga sot përdoren shenja prej katër karakteresh, të harmonizuara me standardin ndërkombëtar ISO 20022.
Qytetarët dhe kompanitë që i kanë përgatitur më parë urdhërpagesat për realizim sot ose më vonë, duhet të kontrollojnë nëse është futur kodi i ri përkatës. Për transaksionet devizore dhe për pagesat në denarë në të cilat merr pjesë një jorezident, mbeten kodet përkatëse tre-shifrore për pagesa me jashtë.
Kompanitë që dërgojnë urdhërpagesa automatikisht ose përmes programeve kontabël duhet të kontrollojnë nëse sistemet e tyre i mbështesin formatet e reja. Sipas Shoqatës Bankare të Maqedonisë, ndryshimet janë pjesë e modernizimit të qarkullimit vendor të pagesave.



