Sali u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë: Mos ia lini të tjerëve vendimin për të ardhmen tuaj

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin masivisht në votime për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin e përfaqësimit kombëtar.
Në një mesazh drejtuar bashkëkombësve në Luginë, Sali theksoi se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe, arsimit, kulturës, identitetit dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
“Ky institucion është një zë i rëndësishëm për ruajtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe, arsimit, kulturës, identitetit dhe të drejtave tona kombëtare”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se lidhjet e tij familjare me Luginën e Preshevës e bëjnë këtë thirrje edhe më të veçantë, duke nënvizuar se pjesëmarrja në votime është përgjegjësi e përbashkët.
“Për mua, Lugina e Preshevës ka një vend të veçantë në zemër, sepse më lidhin me të edhe rrënjët dhe lidhjet e mia familjare. Prandaj, thirrja ime vjen nga zemra dhe me një ndjenjë të veçantë përgjegjësie”, u shpreh ai.
Zëvendëskryeministri i parë u bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, por të dëshmojnë unitet përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.
“Dilni masivisht në votime, sepse çdo votë është një mesazh se shqiptarët e Luginës dinë të qëndrojnë bashkë, të mbrojnë dinjitetin e tyre dhe të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”, theksoi Sali.
Në fund të mesazhit, ai nënvizoi rëndësinë e një përfaqësimi të fuqishëm dhe dinjitoz, duke kërkuar që qytetarët të votojnë lirshëm dhe në përputhje me bindjet e tyre.
“Mos ia lini të tjerëve vendimin për të ardhmen tuaj! Nesër, secili zë ka peshë, secila votë ka rëndësi. Dilni dhe votoni! Për dinjitetin tonë, për identitetin tonë dhe për të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës!”, përfundoi Bekim Sali.



