OKB-ja zgjedh pesë gjyqtarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mandate nëntëvjeçare

Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së kanë zgjedhur pesë gjyqtarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mandate nëntëvjeçare, të cilat do të fillojnë më 6 shkurt 2027, transmeton Anadolu.
Gjyqtarët e sapozgjedhur janë Dapo Akande nga Mbretëria e Bashkuar, Francois Alabrune nga Franca, Mahmoud Daifallah Hmoud nga Jordania, Rena Lee nga Singapori dhe Phoebe Okowa nga Kenia.
Sipas statutit të gjykatës, kandidatët duhet të sigurojnë shumicën absolute të votave si në Asamblenë e Përgjithshme, ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit, për të fituar një vend në gjykatë.
Katër kandidatë, Akande, Alabrune, Hmoud dhe Lee, siguruan shumicat e nevojshme në të dy organet dhe u zgjodhën në raundin e parë të votimit.
Konkurrimi për vendin e pestë kërkoi raunde shtesë votimi, pasi Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit nuk arritën të pajtoheshin për të njëjtin kandidat.
Marcelo Vazquez-Bermudez nga Ekuadori, i cili siguroi shumicën e nevojshme në Këshillin e Sigurimit, por nuk arriti ta fitonte atë në Asamblenë e Përgjithshme, më vonë u tërhoq nga gara.
Më pas, Okowa siguroi mbështetjen e të dy organeve të OKB-së, duke përmbyllur procesin e zgjedhjes.
Pesë gjyqtarët do të marrin detyrën pas përfundimit të mandateve të pesë anëtarëve aktualë të gjykatës, më 5 shkurt të vitit 2027.
Me seli në Hagë të Holandës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi kryesor gjyqësor i OKB-së.
Gjykata shqyrton mosmarrëveshjet juridike ndërmjet shteteve dhe jep opinione këshillimore për çështje juridike që i paraqiten nga organet e autorizuara të OKB-së.


