Identifikohen mbetjet mortore edhe të tre personave nga “Grupi i Intelektualëve”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se janë identifikuar mbetjet mortore edhe të tre personave nga “Grupi i Intelektualëve” nga gërmimet që janë zhvilluar në Kalludër dhe Jabukë.

Sipas njoftimit të kryeministrit është bërë identifikimi i Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Kurti ka shkruar në njoftimin në Facebook se për këtë është njoftuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve”, ka bërë të ditur Kurti.

Ai ka thënë gjithashtu se janë informuar edhe familjet e tye derisa ka shprehur ngushëllime për familjarët. 

“Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë Kurti.

Djali i Adem Ademit, njërit nga intelektualët e identifikuar, Erblin Ademi ka konfirmuar se i kanë pranuar rezultatet e ADN-së për këtë duke e quajtur moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për familjen.

Ai ka thënë se është mundësi që t’i jepet lamtumira dhe nderimi që e meriton babai i tij, Adem Ademi për kontributin e dhënë si mjek e kirurg.

“Sot, nga institucionet tona, u informuam se nga laboratori në Hagë kanë ardhur rezultatet e analizave të ADN-së, përmes të cilave është bërë identifikimi i babait tonë, familjarit tonë të dashur, Dr. Adem Ademi. Ky lajm, pas gati tri dekadash pasigurie, pritjeje dhe kërkimi të së vërtetës, shënon një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për familjen tonë. Ai përbën një hap drejt përmbylljes së një pritjeje të gjatë dhe mundësisë që babit tonë ti japim lamtumirën dhe nderimin që meriton”, ka shkruar Erblin Ademi në Facebook.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button