BE-ja lëshon udhëzime që u bëjnë thirrje qytetarëve të përgatiten për 72 orët e para të emergjencave

Komisioni Evropian ka prezantuar udhëzime të reja që synojnë forcimin e gatishmërisë së publikut për situata emergjente, duke u përqendruar në ndihmën që u ofrohet qytetarëve për të përballuar vetë nevojat e tyre gjatë 72 orëve të para të një krize, si dhe në përfshirjen e edukimit për gatishmërinë në shkolla, transmeton Anadolu.
Komisioni Evropian njoftoi se udhëzimet, të prezantuara nga komisionerja për Barazi, Gatishmëri dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib, synojnë t’u sigurojnë individëve dhe komuniteteve njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten dhe të tjerët gjatë situatave emergjente.
Një nga prioritetet kryesore është vetëpërballimi për 72 orë, duke i inkurajuar qytetarët të jenë të përgatitur për të përmbushur nevojat e tyre themelore gjatë tre ditëve të para të një krize.
Komisioni Evropian rekomandon që qytetarët të përgatisin rezerva të domosdoshme për emergjenca dhe çanta me pajisje thelbësore, për të siguruar qasje në nevojat bazë menjëherë pas fatkeqësive.
Një tjetër fokus kryesor është edukimi për gatishmërinë, ku udhëzimet i inkurajojnë vendet anëtare që ta përfshijnë përgatitjen për situata emergjente në programet mësimore të edukimit në fëmijërinë e hershme dhe në shkollat fillore.
Komisioni Evropian gjithashtu njoftoi planet për të krijuar Ditën Vjetore të Gatishmërisë së BE-së, edicioni i parë i së cilës është planifikuar të mbahet në tetor të vitit 2027.
Këto masa janë pjesë e Strategjisë së Unionit të Gatishmërisë të BE-së, të miratuar në mars të vitit 2025, e cila synon të forcojë aftësinë e Evropës për të parashikuar, parandaluar dhe për t’iu përgjigjur krizave dhe kërcënimeve të reja.



