Albi Qamili: Nuk besuan, na kritikuan dhe u munduan të na ndalin, por stadiumi i Tetovës po bëhet!

Zv/kryetari i komunës së Tetovës, Albi Qamili ka prezantuar pamjet përfundimtare të projektit të stadiumit të Tetovës, duke bërë të ditur se investimi prej 600 milionë denarësh do t’i japë qytetit një fushë sportive me standarde ndërkombëtare.
Projekti parasheh një stadium modern me kapacitet prej 10 mijë ulësesh, katër tribuna të reja, zonë VIP, hapësira të dedikuara për media dhe zhveshtore moderne.
Gjithashtu, do të ndërtohet parkingu dhe hapësira ndihmëse për stërvitje.
Qamili bëri të ditur se stadiumi i ri do të përmbushë të gjitha standardet e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, duke krijuar mundësinë që edhe ndeshjet evropiane të Shkëndijës të zhvillohen në Tetovë.
Aktualisht, punimet po zhvillohen paralelisht në tri tribuna, ndërsa së shpejti pritet të fillojë edhe ndërtimi i tribunës kryesore.
“Nga viti 1981 nuk është bërë asnjë investim dhe asnjë renovim në stadium. Na thanë se nuk mund ta bëjmë, na kritikuan duke përmendur borxhin prej 24 milionë eurosh të komunës, madje kur i nisëm punimet u munduan të na ndalin edhe me vendim të Qeverisë. Por sot, borxhi po shlyhet dhe stadiumi po ndërtohet”, ka deklaruar Qamili.
Ai theksoi se pavarësisht pengesave dhe kritikave, projekti po ecën përpara dhe se stadiumi i ri pritet të jetë gati deri në fund të vitit të ardhshëm.



