Turqia dhe Koreja e Jugut nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në financimin e centraleve bërthamore

Turqia dhe Koreja e Jugut nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në financimin e centraleve bërthamore, raporton Anadolu.
Njoftimi u bë gjatë një konference të përbashkët për media të mbajtur nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij koreanojugor Lee Jae Myung në Seul.
Erdogan tha se gjatë takimit kokë më kokë diskutuan mënyrat për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorë të ndryshëm, “në mënyrë dinamike dhe me vizion për të ardhmen”.
Dy liderët diskutuan gjithashtu hapat për rritjen e tregtisë dypalëshe nga 11 miliardë dollarë sa ishte vitin e kaluar në objektivin prej 15 miliardë dollarësh, shtoi ai.
Duke theksuar se Ankara dhe Seuli ndajnë qëndrime të ngjashme për çështjet globale, Erdogan shprehu mbështetjen e Turqisë për dialogun me qëllim arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Gadishullin Korean.
Presidenti turk theksoi se bashkëpunimi dypalësh në fushën e mbrojtjes po jep rezultate, duke bërë thirrje për më shumë projekte të përbashkëta si obusët Firtina dhe tanket kryesore të betejës Altay të Turqisë.
Nga ana e tij, Lee tha se ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.



