Mbi 30 demonstrata tronditën mbrëmë Gjermaninë: Dhunë, përplasje, zjarr, plaçkitje shitoresh në shumë qytete

“Protesta jonë është paqësore, pa asnjë përjashtim”, kishin paralajmëruar organizatorët e më shumë se 30 demonstratave në mbarë Gjermaninë, përmes faqes së tyre të internetit. Ata theksonin se ekstremizmi nuk kishte vend në protestat e tyre. Por, ndërsa pjesëmarrësit, kryesisht të rinj, po shprehnin me zë të lartë kërkesat e tyre për një jetë me kosto të përballueshme, në radhët e protestuesve nisën të depërtonin gjithnjë e më shumë radikalë, duke sjellë urrejtje, dhunë dhe plaçkitje.
Demonstratat ishin paralajmëruar në 34 qytete gjermane. Nisma “Gen Z regelt!” kishte mobilizuar qytetarë në mbarë vendin. Gjithsej 184 mijë persona ishin regjistruar për të marrë pjesë, por numri i atyre që dolën në rrugë ishte shumë më i vogël.

Megjithatë, gjatë pasdites, protestat në Berlin, Hamburg, Frankfurt dhe Këln u zgjeruan ndjeshëm. Pas një fillimi paqësor, në to u përfshinë gjithnjë e më shumë persona të gatshëm për dhunë. Pasuan zjarre, barrikada dhe sulme ndaj policëve. Në Frankfurt, plaçkitësit thyen vitrinat e dyqaneve, në skena që kujtonin trazirat e mëparshme në Francë, transmeton Periskopi, duke iu referuar gazetës gjermane BILD.

Në Berlin, protestat pranë Portës së Brandenburgut fillimisht u zhvilluan në mënyrë paqësore. Më vonë, në sheshin Rosenthaler Platz, drejt policëve dhe gazetarëve u hodhën fishekzjarrë, mjete piroteknike dhe madje edhe vezë.

Një gazetare e BILD-it u godit në kokë me një vezë. Më pas, protestës iu bashkuan gjithnjë e më shumë njerëz, ndërsa policia njoftoi se numri i pjesëmarrësve kishte arritur në rreth 3 mijë.

Organizatorin e marshimit të mbrëmjes policia e klasifikon si pjesë të spektrit të majtë politik. Në protestë ishin të pranishëm edhe mbështetës të lëvizjes propalestineze, të cilët valëvitnin flamuj palestinezë.

“Konstatuam se disa prej pjesëmarrësve ishin të gatshëm të kryenin vepra penale”, deklaroi një zëdhënës i policisë.

Bilanci ishte 56 persona të arrestuar vetëm në Rosenthaler Platz dhe afro 30 policë të lënduar.
Situatë e tensionuar në Berlin: Shishe hidhen drejt policëve

Barrikada në flakë në Hamburg

Në Hamburg, sipas policisë, në kulmin e protestës dolën në rrugë rreth 6.700 persona.

Gjatë demonstratës, persona të veshur me të zeza, disa prej tyre me fytyra të mbuluara, shkulën pengesat e vendosura në kantieret e ndërtimit dhe i hodhën në rrugë. Më vonë, këtyre pengesave iu vu flaka.

“I gjithë Hamburgu e urren policinë”, bërtiste turma.
Forcat e rendit shpërndanë protestuesit dhe përdorën sprej me piper. Zjarri u shua me ndihmën e një automjeti me top uji, ndërsa demonstrata u ndërpre.

Më vonë gjatë mbrëmjes, policia u detyrua të arrestonte një djalë të mitur, i cili më parë kishte hedhur fishekzjarrë të fuqishëm drejt policëve.

Në zonën e Hansaplatz-it, policia rrethoi dhe ndaloi rreth 120 persona të përfshirë në trazira. Ata u morën në paraburgim policor.

Persona të maskuar plaçkitin një dyqan armësh në Frankfurt
Në Frankfurt, situata doli jashtë kontrollit në orët e hershme të mbrëmjes.

Nga radhët e rreth 8 mijë demonstruesve u hodhën fishekzjarrë drejt policëve. Pranë Konstablerwache, në qendër të qytetit, marshimi u bllokua dhe në vendngjarje mbërriti një automjet policor me top uji.

Mjetet piroteknike vazhduan të ndizeshin në mënyrë të përsëritur.
“Ky tubim nuk konsiderohet më paqësor”, njoftoi policia përmes altoparlantëve, përpara se demonstrata të ndërpritej.

Sipas Ministrisë së Brendshme, disa policë mbetën të lënduar.

Në orët e vona të mbrëmjes, persona të përfshirë në trazira u kapën duke thyer vitrinat e disa dyqaneve, përfshirë një parfumeri dhe një dyqan të pajisjeve sportive.

Një dyqan armësh u plaçkit. Njëri prej autorëve u arrestua dhe, sipas informacioneve të BILD-it, në posedim iu gjetën dy armë të vjedhura.

Vandalizëm në qendër të Shtutgartit

Në Shtutgart, marshimi me rreth 6 mijë pjesëmarrës u ndal disa herë nga policia për shkak të shkeljes së kushteve të përcaktuara për zhvillimin e protestës.

Sipas Drejtorisë së Policisë, disa persona kishin mbuluar fytyrat dhe kishin hedhur fishekzjarrë.
Në fund, marshimi devijoi nga itinerari i planifikuar, ndërsa në qendër të qytetit u shkaktuan dëme materiale.

Trazira pranë Katedrales së Këlnit

Në Këln, policia e ndërpreu papritur marshimin për shkak se disa pjesëmarrës kishin mbuluar fytyrat dhe po përdornin mjete piroteknike.

“Demonstrata do të vazhdojë si tubim statik”, deklaroi një zëdhënëse e policisë.

Gjatë mbrëmjes, forcat e rendit rrethuan rreth 500 demonstrues në tri lokacione të ndryshme, pasi disa prej pjesëmarrësve kishin ushtruar dhunë. Të paktën një polic mbeti i lënduar.

Më vonë, një grup më i madh të rinjsh u mblodh në sheshin përpara Katedrales së Këlnit.

Në mënyrë të përsëritur, drejt policisë u hodhën fishekzjarrë. Përballë grupit qëndronin policë të pajisur me helmeta dhe mjete mbrojtëse.

Sheshi përpara katedrales u desh të evakuohej. Gjatë ndërhyrjes u arrestuan pesë persona.

Policia ndalon turmën e dhunshme në Lajpcig

Në Lajpcig, policia vlerësoi se në demonstratë morën pjesë rreth 6.500 persona.
Pas përfundimit të protestës, u regjistruan dëmtime të pronës.

Një grup prej deri në 200 personash, të cilët policia i përshkroi si shkaktarë trazirash, kishte shkaktuar incidente gjatë kthimit në shtëpi, në pjesën jugore të qytetit.

“Ata bënë pak rrëmujë”, deklaroi një zëdhënës i policisë.

Megjithatë, pas mbërritjes së njësive speciale të policisë për kontrollin e turmave, grupi u shpërnda shpejt.

Disa persona hodhën shenja të komunikacionit në rrugë, ndërsa u dëmtuan edhe stacionet e transportit publik. Në disa vende u ngritën barrikada dhe u ndezën mjete piroteknike.

Nisma distancohet nga dhuna

Thirrjen për demonstrata paqësore në 34 qytete gjermane e kishte bërë iniciativa “Gen Z regelt”, e cila, sipas deklarimeve të saj, distancohet nga çdo formë dhune.

Nisma kërkon më shumë fonde për shkollat, shërbimet për trajtimin e varësive dhe psikoterapinë, masa kundër rritjes së kostos së jetesës, më shumë drejtësi sociale dhe mbrojtje më të madhe të klimës.

Ajo kundërshton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, si dhe zgjerimin e mbikëqyrjes shtetërore.

Nga frika e trazirave, shumë tregtarë në qendrat e qyteteve, veçanërisht në rrugët me dyqane luksoze, kishin marrë masa parandaluese duke mbuluar vitrinat e tyre me dërrasa druri.

Policia ishte angazhuar në disa qytete me qindra efektivë.

Organizatorët deklaruan se në protesta kishin marrë pjesë gjithsej 100 mijë persona, ndërsa në atë kohë nuk kishte ende shifra të përgjithshme nga policia për pjesëmarrjen në nivel kombëtar.

Gjenerata Z, e njohur edhe si “Gen Z”, përfshin përgjithësisht personat e lindur ndërmjet viteve 1995 dhe 2010, thekson Periskopi, duke iu referuar raportimit të gazetës gjermane BILD.
Burimi: BILD. Përkthim në shqip për Periskopi.com.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button