Sulejmani takon ministren sllovake të Kulturës: Nënshkruhet marrëveshje e re për bashkëpunim kulturor

Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani ka pritur në takim dypalësh zëvendëskryeministren e Republikës Sllovake dhe ministren e Kulturës, Martina Shimkoviçova, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
“Në atmosferë miqësore biseduam për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit.
Gjatë takimit nënshkruam Marrëveshje të re për bashkëpunim në fushën e kulturës, e cila krijon mundësi për shkëmbime artistike, projekte të përbashkëta dhe partneritete të reja ndërmjet institucioneve kulturore të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sulejmani shton më tej se vëmendje të veçantë i kushtuam edhe organizimit të Ditëve të Kulturës sonë në Sllovaki dhe Ditëve të Kulturës Sllovake në vendin tonë, si dhe shkëmbimit të përvojave për Kryeqytetin Europian të Kulturës, Trençin 2026 dhe Shkupi 2028.
“Besoj se takimi dhe marrëveshja e nënshkruar do t’i japin shtysë të re bashkëpunimit tonë dhe do të kontribuojnë në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve”, shprehet ministri Sulejmani.







