Zv/kryeministri i Parë, Bekim Sali u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë masivisht

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin masivisht në votime, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes për demokratizimin e vendit dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve.
Në apelin e tij, Sali tha se raportimet nga Serbia flasin për pjesëmarrje të lartë që në orët e para të mëngjesit, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për ndryshime pozitive.
“U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë të drejtë vote, kudo që jetojnë, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të dalin masivisht në votime”, deklaroi Sali.
Ai gjithashtu u bëri thirrje votuesve që të mbështesin listën me numrin 17, të cilën e përshkroi si listë të unifikimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve.
“Sot na bashkon identiteti, na bashkon përgjegjësia dhe na bashkon e ardhmja. Le ta dëshmojmë unitetin tonë me pjesëmarrje sa më të madhe, sepse çdo votë ka rëndësi”, theksoi Sali.
Në fund, ai përsëriti thirrjen për dalje në votime, duke nënvizuar rëndësinë e tyre për dinjitetin e shqiptarëve, demokratizimin e vendit dhe të ardhmen e brezave të rinj.



