Eurodeputetja Anna Strolenberg përgënjeshtron paralajmërimet e Ramës për protestuesit

Eurodeputetja Anna Strolenberg ka reaguar ndaj paralajmërimeve që, sipas saj, u janë bërë qytetarëve shqiptarë lidhur me pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Përmes një mesazhi publik, Strolenberg ka hedhur poshtë pretendimin se qytetarëve që marrin pjesë në protesta mund t’u ndalohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë informacion si të pavërtetë.
Eurodeputetja theksoi se ishte informuar për paralajmërime që i atribuohen kryeministrit Rama, sipas të cilave pjesëmarrja në protesta mund të sillte pasoja për lëvizjen e qytetarëve drejt BE-së.
“Më është thënë se shqiptarët po paralajmërohen nga Edi Rama se, nëse marrin pjesë në protesta, do t’u refuzohet hyrja në BE. Ky pretendim është i RREMË!”, deklaroi Strolenberg.
Ajo u bëri thirrje shqiptarëve që të mos ndikohen nga paralajmërime të tilla dhe të mos heqin dorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre për tubim paqësor.
“Ju lutem, mos lejoni që pretendimet e rreme t’ju dekurajojnë nga ushtrimi i së drejtës suaj për tubim paqësor. E di që këto janë kohë të vështira dhe shqetësuese. Ruani veten!”, përfundoi eurodeputetja.



