Bekim Sali në Bruksel me Marta Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka diskutuar për perspektivën evropiane të vendit dhe mundësitë që ofron qasja e re e Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit.
Sali theksoi se integrimi evropian duhet të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët, e jo të mbetet vetëm në nivelin e premtimeve politike.
“Evropa duhet të ndihet më afër qytetarëve tanë, jo vetëm përmes premtimeve, por përmes rezultateve konkrete”, deklaroi Sali, duke vlerësuar se integrimi gradual mund të krijojë përfitime të drejtpërdrejta për vendin.
Sipas tij, kjo qasje mundëson që reformat të shndërrohen në lehtësime konkrete, përfshirë pagesat më të lira përmes sistemit SEPA, përmirësimin e lidhjeve digjitale, mundësi të reja për bizneset dhe afrimin me programet evropiane.
Zëvendëskryeministri theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave, por kërkoi që përparimi i vendit të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Besojmë se përparimi duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit”, u shpreh Sali.
Ai gjithashtu vlerësoi mundësinë që komisionerja Marta Kos të komunikojë drejtpërdrejt me mediat nga Maqedonia e Veriut, përmes një interviste kushtuar perspektivës evropiane të vendit.
“Integrimi evropian duhet të jetë një proces që qytetarët e shohin, e ndiejnë dhe përfitojnë prej tij”, përfundoi Sali.

