Muzeu i Parahistorisë dhe ai i Periudhës Osmane hapen në Kalanë e Shkupit

Në Kalanë e Shkupit janë drejt përfundimit punimet në dy objekte që do të shndërrohen në Muzeun e Parahistorisë dhe Muzeun e Periudhës Osmane. Pas përshtatjes, pritet që ato të vihen në funksion vitin e ardhshëm.

Në këta muze do të ekspozohen artefakte të zbuluara gjatë hulumtimeve të mëdha arkeologjike në Kala, të realizuara nga viti 2007 deri në vitin 2016. Ekspozitat do të konceptohen sipas parimeve bashkëkohore muzeologjike, duke përfshirë interaktivitetin, rrëfimin dhe qasjen multimediale.

Me vendim të Qeverisë, i gjithë materiali nga hulumtimet arkeologjike në Kala gjatë periudhës 2007–2016, të udhëhequra nga arkeologu, profesori Dragi Mitrevski, i është dhënë në shfrytëzim Muzeut Arkeologjik, si institucion amë për trashëgiminë kulturore arkeologjike të luajtshme. Të martën, ekipet e këtij muzeu do të nisin rregullimin e brendshëm të dy objekteve muzeale.

Një komision i përbërë nga kuratorë të Muzeut Arkeologjik, kuratorë të Muzeut të Qytetit të Shkupit dhe punonjës të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka punuar në rishikimin e materialit, me qëllim zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe përzgjedhjen e artefakteve që do të ekspozohen në muze.

Kalanë e Shkupit sot e vizitoi kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga drejtoreshat e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe të Muzeut Arkeologjik të Maqedonisë, Vesela Çestoeva dhe Magdalena Manaskova. Të dy institucionet po punojnë së bashku për projektin, i cili ishte ndërprerë në vitin 2017.

Pas inspektimit, Mickoski deklaroi për mediat se pret që Kalaja e Shkupit të marrë pamjen dhe funksionalitetin që, sipas tij, e meriton.

“Ky është synimi ynë si Qeveri, së bashku me institucionet përgjegjëse për pjesët e ndryshme të projektit. Pres që, kur gjithçka të përfundojë, të kemi një objekt vërtet cilësor në Shkup, i cili do të përfaqësojë një nga atraksionet e rralla dhe të rëndësishme turistike të qytetit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm”, tha Mickoski.

Ai theksoi se Kalaja ka potencial të madh dhe se Qeveria do t’i mbështesë institucionet përgjegjëse, si financiarisht, ashtu edhe në aspektin logjistik.

“Do të qëndrojmë pas institucioneve, financiarisht dhe logjistikisht, në mënyrë që Kalaja e Shkupit të marrë pamjen që meriton dhe të bëhet pjesë e Shkupit – Kryeqytetit Evropian të Kulturës. Mendoj se qytetarët do të befasohen jashtëzakonisht nga gjithçka që do të ekspozohet. Nuk e kam fjalën vetëm për banorët e Shkupit, por, do të thosha, edhe për botën”, deklaroi kryeministri.

Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva, bëri të ditur se gjatë hulumtimeve të mëdha arkeologjike në Kala, të nisura në vitin 2007, janë zbuluar më shumë se 5.000 artefakte.

“Fatkeqësisht, nga viti 2017 deri në vitin 2024, këto artefakte u ruajtën këtu, në Kala, në kushte jostandarde. Me ardhjen e Qeverisë së re në vitin 2024, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, si investitore e këtyre dy objekteve, i paraqiti Qeverisë një informacion dhe arriti të sigurojë tetë milionë denarë. Gjithashtu, u formua një grup pune, i cili përgatiti një përllogaritje paraprake, mbi bazën e së cilës u shpall tenderi për mirëmbajtjen, përshtatjen dhe sanimin e Muzeut të Parahistorisë dhe Muzeut të Periudhës Osmane”, deklaroi Çestoeva.

Ajo shtoi se si kompani realizuese u përzgjodh “Net Invest” nga Tearca dhe se objektet kanë përfunduar brenda më pak se një viti.

“Shtatë vjet këto objekte ishin lënë në mëshirë të kohës”, tha Çestoeva.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se Qeveria është në fazën përfundimtare të miratimit të vendimit për shpalljen e Kalasë së Shkupit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, në nënkategorinë “rëndësi e madhe”. Me këtë vendim, kompetencat do të ndahen ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Muzeut Arkeologjik.

Muzeu Arkeologjik do të menaxhojë dy objektet muzeale dhe do të kujdeset për rregullimin e ambienteve të brendshme. Në këtë mënyrë, të dy muzetë do të bëhen pjesë e ofertës kulturore të Shkupit në kuadër të programit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button