Trump tradhtoi Ukrainën për të arritur një pakt me Iranin?

Prapaskenat e diplomacisë globale po dridhen nga lëvizje të befta dhe pazaresh sekrete, ku janë zbehur tërësisht kufijtë mes aleatëve dhe armiqve.

Në qendër të kësaj stuhie gjeopolitike qëndron një pyetje e etshme për përgjigje: A po sakrifikohet Ukraina për të përmbushur synimet e Shtëpisë së Bardhë ndaj Iranit?

Dyshimet shpërthyen pas një lëvizjeje tronditëse të Uashingtonit. Në mes të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta me Iranin, Donald Trump tronditi kancelaritë perëndimore duke njoftuar një pakt rrufe me Vladimir Putin: Rusia do të hedhë menjëherë në tregun global 300 mijë ton gazoil, duke pezulluar de-facto sanksionet amerikane ndaj hidrokarbureve ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë akt si një “dhuratë të rrezikshme për diktatorin e Moskës”. Por pas këtij lehtësimi të papritur ekonomik për Rusinë, fshihet një fije edhe më e errët intrige.

Përputhja e kohës nuk është rastësi. Ndërsa në Turkmenistan, Putin shtrëngonte duart me presidentin iranian Masoud Pezeshkian duke u vetëofruar si “shpëtimtari” diplomatik që do të bëjë “gjithçka” për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së dhe Teheranit, në prapaskenë po thurej ujdia e madhe.

Pezeshkian deklaroi hapur se Teherani nuk do të largohet nga tryeza e bisedimeve me Uashingtonin. Pyetja që ngre alarmin është: Çfarë kërkoi Moska nga SHBA në shkëmbim të përdorimit të ndikimit të saj mbi Iranin?

Llogaria diplomatike duket sa pragmatike, aq edhe e ftohtë. Trump, i ushtruar nga presioni i çmimeve të karburantit në prag zgjedhjesh, ka nevojë urgjente për dy gjëra: naftë të lirë dhe një dalje paqësore nga fronti iranian.

Moska i ofron të dyja në një paketë të vetme. Por çmimi i këtij pazari ka gjasa të jetë i lartë. Duke i hapur rrugën fitimeve miliardëshe të hidrokarbureve ruse dhe duke pranuar ndërmjetësimin e Putinit në Lindjen e Mesme, SHBA i ka dhënë Kremlin-it një ndikim të fuqishëm.

A mund ta garantojë vërtet Putin paqen, apo po e përdor diplomacinë për të fituar më shumë? Përgjigjja varet nga ajo që kuptojmë me paqe. Presidenti rus mund të ndihmojë në hapjen e kanaleve diplomatike dhe në përcjelljen e mesazheve mes palëve, por kjo nuk do të thotë se ai mund të garantojë përfundimin e luftës me Iranin apo një marrëveshje të qëndrueshme për Ukrainën.

Putini mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje, por nuk duhet ngatërruar aftësia për të ndikuar me aftësinë për të garantuar paqen. Për Moskën, ndërmjetësimi mund të sjellë përfitime diplomatike dhe ekonomike edhe nëse nuk prodhon një marrëveshje përfundimtare.

Prova e vërtetë e rolit të Putinit nuk do të jetë ajo që premton, por ajo që është i gatshëm të bëjë: a do të ushtrojë presion real mbi partnerët e tij, a do të pranojë detyrime të verifikueshme dhe a do të bëjë lëshime konkrete në Ukrainë?

Pa këto elemente, oferta e tij për paqe duhet parë si një nismë diplomatike me interesa të mundshme strategjike, jo si garanci se lufta do të përfundojë. \tesheshi.com\

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button