Mickoski: Bisedimet me Sofjen duhet të vazhdojnë

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se e vetmja mënyrë për tejkalimin e bllokadës në procesin e integrimit evropian është vazhdimi i dialogut me Bullgarinë, pavarësisht se takimi i fundit mes ministrave të Jashtëm të të dyja vendeve nuk solli përparim konkret.
Ai shprehu pritshmërinë se me kalimin e kohës do të krijohen kushte për afrimin e qëndrimeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.
„Më vjen mirë që dialogu ka filluar dhe që për të janë informuar partnerët tanë ndërkombëtarë. Në demokraci është e rëndësishme të bisedohet edhe kur ekzistojnë qëndrime të ndryshme, ndërsa aftësia e vërtetë qëndron në afrimin e këtyre qëndrimeve dhe arritjen e një kompromisi. Pres që bisedimet të vazhdojnë dhe që në një moment të caktuar të arrijmë deri te një zgjidhje“, deklaroi Mickoski.
Duke iu referuar bisedimeve me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri tha se këshilla e saj kishte qenë që pala maqedonase të nisë dialog të drejtpërdrejtë me Sofjen.
Takimi mes shefit të diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski, dhe ministres së Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova Çamova, u zhvillua në margjinat e takimit ministror për Korridorin 8 në Sofje.
Pas bisedimeve, Mucunski deklaroi se qëndrimet e të dyja vendeve mbeten dukshëm të ndryshme, ndërsa Çamova bëri të ditur se kishte kërkuar një afat kohor për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Ajo përsëriti se, sipas Sofjes zyrtare, nuk ka kushte të reja dhe as mundësi për rihapjen e çështjeve për të cilat është arritur tashmë marrëveshje.
I pyetur nëse planifikohet një takim i ri mes dy ministrave, Mickoski u përgjigj shkurt se duhet lejuar që procesi të zhvillohet natyrshëm.
Ndryshimet kushtetuese, përmes të cilave komuniteti bullgar duhet të përfshihet në Preambulën e Kushtetutës, mbeten kusht paraprak për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitujve të negociatave.
Nga ana tjetër, Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk do ta nisë këtë proces pa garanci të qarta se në të ardhmen nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe.



