Shkupi furnizohet me 3.300 kontejnerë të rinj, Gjorgjievski: Është furnizimi më i madh në historinë e qytetit

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se ka mbërritur dërgesa e parë e kontejnerëve të rinj për mbeturina, në kuadër të një furnizimi prej gjithsej 3.300 kontejnerësh. Sipas tij, ky është furnizimi më i madh i këtij lloji në historinë e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.
Gjorgjievski bëri të ditur se shpërndarja e kontejnerëve nëpër qytet ka nisur që sot, me qëllim zëvendësimin e atyre të dëmtuar dhe të amortizuar, si dhe rritjen e kapaciteteve për grumbullimin e mbeturinave.
“Gjatë ditës së sotme mbërriti dërgesa e parë nga gjithsej 3.300 kontejnerë të rinj, furnizimi më i madh me kontejnerë në historinë e Shkupit. Shpërndarja e tyre nëpër qytet nis që sot”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se, së bashku me kamionët e rinj për grumbullimin e mbeturinave, të cilët pritet të vihen në funksion javën e ardhshme, synohet të përmirësohet efikasiteti i shërbimeve komunale dhe të krijohen kushte për lagje më të pastra.
## Gjorgjievski: Kontejnerët i sigurojmë me çmim dy herë më të ulët
Kryetari i Shkupit veçoi edhe aspektin financiar të furnizimit, duke pretenduar se kontejnerët e rinj janë blerë me çmim dukshëm më të ulët se ai që, sipas tij, është paguar nga paraardhësit e tij.
“Të njëjtët kontejnerë, për të cilët paraardhësit e mi kanë paguar nga 18.600 denarë, ne po i sigurojmë me çmim dy herë më të ulët. Dhe kjo në një kohë kur çmimet globale janë në rritje”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai shtoi se menaxhimi i përgjegjshëm i parave publike është detyrim ndaj qytetarëve, duke theksuar se fondet duhet të shpenzohen me ndershmëri dhe kujdes.
## 60 kontejnerë për qelqin, paralajmërohet tolerancë zero për hedhjen e mbeturinave të papërshtatshme
Në kuadër të masave për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, Gjorgjievski njoftoi se janë siguruar edhe 60 kontejnerë për grumbullimin e veçantë të qelqit, me qëllim rritjen e riciklimit dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kujdesen për hapësirat publike dhe të mos hedhin mbeturina ndërtimore apo mbeturina të vëllimshme brenda ose pranë kontejnerëve.
“Për një Shkup të pastër nevojitet edhe ndërgjegjja e secilit prej nesh. Mbeturinat ndërtimore dhe mbeturinat e vëllimshme nuk e kanë vendin as brenda kontejnerëve dhe as pranë tyre”, theksoi kryetari i Shkupit.
Sipas tij, hedhja e papërshtatshme e mbeturinave dëmton pajisjet, vështirëson grumbullimin e tyre dhe krijon deponi të egra nëpër lagje. Gjorgjievski paralajmëroi se për këtë lloj sjelljeje nuk do të ketë tolerancë.
“Shkupi është shtëpia jonë. Le ta bëjmë atë të pastër, të rregulluar dhe sërish një qytet për të cilin mund të krenohemi”, përfundoi Gjorgjievski.



