Granit Xhaka dënohet me gjobë me kusht prej 150 mijë frangash për falsifikimin e certifikatës së COVID-19

Kapiteni i kombëtares së Zvicrës dhe Sunderlandit, Granit Xhaka, tha të enjten se është dënuar me një gjobë me kusht prej 150 mijë frangash zvicerane, pasi pranoi se kishte siguruar certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër koronavirusit gjatë pandemisë, transmeton Anadolu.
Mesfushori 34-vjeçar tha se dënimi, i cili përbëhet nga 50 gjoba ditore prej 3.000 frangash, nuk do të zbatohet nëse ai nuk kryen shkelje të tjera gjatë një periudhe dyvjeçare.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, shkroi Xhaka në Instagram.
Xhaka pranoi muajin e kaluar se kishte siguruar certifikatën në vitin 2022 për shkak të mosbesimit ndaj vaksinave kundër COVID-19, duke e cilësuar vendimin e tij si gabim.
Rasti u hetua nga prokurorët në kantonin zviceran të Lucernës, ku Xhaka dha deklaratën e tij.
Xhaka, futbollisti me më shumë paraqitje për kombëtaren zvicerane, me 152 ndeshje, mungoi në katër ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve të UEFA-s, pasi ai dhe Federata Zvicerane e Futbollit ranë dakord që ai të mos merrte pjesë në grumbullimin e kombëtares.
Federata Zvicerane e Futbollit tha se do të zhvillojë diskutime të tjera me Xhakën pas përfundimit të procedurave ligjore.



