Ushtria izraelite granaton periferinë e një fshati në Sirinë jugore

Ushtria izraelite të enjten ka qëlluar me një predhë artilerie drejt rrethinave të një fshati në provincën jugore siriane Quneitra, raportoi media siriane, transmeton Anadolu.
Televizioni shtetëror Alikhbariah TV raportoi se forcat izraelite shënjestruan zonën përreth fshatit Sweisa, në pjesën jugore rurale të Quneitras.
Nuk janë raportuar menjëherë viktima apo dëme materiale.
Granatimi ndodhi në një kohë kur vazhdojnë inkursionet dhe sulmet ushtarake izraelite në jug të Sirisë.
Më herët të enjten, forcat izraelite hynë në fshatin Al-Samdaniya Al-Sharqiya në provincën Quneitra me dy tanke dhe më shumë se 15 automjete ushtarake që transportonin ushtarë, raportoi Alikhbariah TV.
Sipas televizionit, forcat u zhvendosën drejt rrethinave të Tal Krumit.
Të mërkurën në mbrëmje, artileria izraelite goditi gjithashtu zonat bujqësore përreth fshatit Al-Samdaniya Al-Sharqiya, pa shkaktuar viktima, sipas Alikhbariah TV.
Jugu i Sirisë, veçanërisht provincat Quneitra dhe Daraa, është përballur me inkursione dhe sulme të përsëritura izraelite, përfshirë bastisje, kontrolle, arrestime dhe ngritje të pikave të kontrollit ushtarak.
Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit të Sirisë që nga viti 1967.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024, Izraeli njoftoi shfuqizimin e Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 dhe pushtoi zonën tampon të çmilitarizuar dhe pozicione të tjera, përfshirë anën siriane të malit Hermon.
Damasku ka kërkuar vazhdimisht tërheqjen e forcave izraelite nga territori sirian dhe ka riafirmuar angazhimin e tij ndaj marrëveshjes së vitit 1974.



