Konjufca kërkon në Sofje përfshirjen e plotë të Kosovës në Korridorin 8

Kosova ka kërkuar përfshirje të plotë në rrjetin rajonal të Korridorit 8 duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes rajonale për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca në konferencën Ndërkombëtare për Korridorin 8 që po mbahet në Sofje nën organizimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, theksoi se ndërlidhja rajonale nuk është vetëm një domosdoshmëri ekonomike, por edhe një shtyllë strategjike e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së BE-së.
“Nënvizova rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në këtë rrjet. Investimet tona në Linjën Hekurudhore 10 dhe në hekurudhën e planifikuar Prishtinë–Durrës do të forcojnë lidhshmërinë rajonale, do të diversifikojnë rrugët e transportit dhe do të konsolidojnë arkitekturën e sigurisë euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor”, tha Konjufca.
Kryediplomati kosovar në këtë konferencë bëri të ditur se ka ngritur çështjen edhe të pengesave të vazhdueshme të Serbisë lidhur me shkëmbimet e energjisë elektrike me Kosovën, pavarësisht afatit të përcaktuar nga Komuniteti i Energjisë.
Sipas tij, kjo situatë cenon sigurinë energjetike rajonale dhe kërkon veprim të vendosur evropian për të siguruar zbatimin e detyrimeve ekzistuese.
“Korridori 8 duhet të bëhet më shumë se një vijë në hartë”, tha Konjufca duke shtuar se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i ndërlidhur kërkon bashkëpunim të papenguar dhe përfshirjen e plotë të Kosovës.



