Sulm me thikë në një shkollë në Poloni, 10 të lënduar – sulmuesi kishte bombë në çantë

Të paktën dhjetë persona janë lënduar nga një sulm me thikë në një shkollë në Ostroleka, në verilindje të Polonisë, të mërkurën.
Policia ka ndaluar një 19-vjeçar, i dyshuar për sulmin, rreth 20 minuta pas ngjarjes. I dyshuari, i cili është nxënës i shkollës, është gjithashtu në mesin e të lënduarve.
Guvernatori rajonal, Mariusz Frankowski, ka bërë të ditur se nëntë persona janë dërguar në spital, por asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
“Në mesin e të lënduarve janë pesë nxënës, dy mësues dhe dy kalimtarë, si dhe autori, i cili shkaktoi vetëlëndim”, ka thënë Frankowski.
Sipas Policisë, i dyshuari ka sulmuar njerëzit me hanxhar.
Ngjarja ka marrë një tjetër përmasë pasi në vendin e ngjarjes janë thirrur ekspertë për deaktivizimin e bombave.
Prokurori shtetëror, Dariusz Korneluk, ka bërë të ditur për televizionin TVN24 se në çantën e të dyshuarit është gjetur një pajisje shpërthyese e përgatitur në kushte shtëpiake, e cila për pak nuk kishte shpërthyer.
Ndërkohë, zëdhënësi i zjarrfikësve, Adrian Stupski, ka treguar se nxënësit ishin barrikaduar brenda klasave për t’u mbrojtur nga sulmi, përpara se të evakuoheshin.
Sulmi ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit. Rreth 20 minuta më vonë, policia arriti ta ndalojë të dyshuarin.
Autoritetet kanë publikuar edhe një fotografi në rrjetin X, ku shihet një person i shtrirë në një zonë pyjore, ndërsa hetimet për rrethanat dhe motivin e sulmit janë duke vazhduar.



