BE-ja e shqetësuar për votimin e ndryshimit të Ligjit për Specialen

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një përgjigje, një zëdhënës i BE-së i ka thënë KOHËS se ky veprim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës dhe që është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht. Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, thuhet në përgjigje.
BE-ja tutje i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve ndërkombëtare duke garantuar pavarësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“I bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe përkushtimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Të martën pak para se të përfundonte afati për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës janë marrë vesh për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në Kosovë ka pasur protesta të dhunshme të martën, pasi kërkohej votimi në lexim të dytë i këtij projektligji. Më 16 shtator Gjykata Speciale dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, 18 vjet Kadri Veselin dhe 13 vjet Rexhep Selimin. Që prej atëherë në Kosovë ka pasur protesta në vazhdimësi, por edhe në vende tjera ku jetojnë shqiptarë.



