Grubi ofron mbi 335 mijë euro për tu mbrojtur në liri

Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”, ka ofruar rreth 335 mijë euro si garanci për heqjen e masës së arrestit shtëpiak, njoftoi Gjykata Themelore Penale në Shkup.
“Mbrojtja ofroi pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Propozimi i mbrojtjes i është dërguar Prokurorisë Publike për mendim. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të vendosë nëse do ta pranojë garancinë.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se aktakuza për rastin e Lotarisë Shtetërore është dorëzuar më 13 gusht 2026. Sipas nenit 470 të Ligjit për Procedurë Penale, masa e arrestit shtëpiak për Grubin skadon më 13 tetor 2026, pas përfundimit të afatit ligjor prej 60 ditësh nga dorëzimi i aktakuzës.
“Masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Krahas arrestit shtëpiak, ndaj Grubit është caktuar edhe masa e marrjes së përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror. Kjo masë do të vazhdojë të vlejë edhe pas skadimit të arrestit shtëpiak.
Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.



