Hamza: Mungon vullneti politik për miratimin e ligjit, çështja e presidentit është e ndarë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza para mbledhjes së partisë ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti për çështjen e miratimit të ligjit dhe ka kërkuar që Kuvendi të thërrasë seancën për votimin e tij në lexim të dytë.

Hamza tha se, sipas tij nuk ekziston asnjë pengesë procedurale për përfundimin e procesit, pasi ligji tashmë ka kaluar leximin e parë.

“Pjesa jonë është e qartë, duhet me u thirr seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi e asnjë pengesë”, tha Hamza.

Ai theksoi se, nëse ka pasur ndonjë dilemë apo problem me ligjin, ajo duhej të ishte evidentuar para se ai të kalonte në lexim të parë.

Sipas Hamzës, miratimi i ligjit nuk duhet të shihet si çështje partiake apo si një kërkesë që i shërben vetëm PDK-së. Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka ekzistuar para themelimit të PDK-së dhe partive të tjera politike.

“Kjo nuk është çështje që i takon ndonjë partie politike, nuk është ligji për PDK-në. UÇK ka ekzistu para se me ekzistu PDK, para se me ekzistu partitë tjera”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.

Hamza u bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që të thërrasin seancën dhe deputetët të votojnë ligjin në lexim të dytë.

Ai këmbënguli se çështja e miratimit të ligjit dhe ajo e zgjedhjes së presidentit duhet të trajtohen si procese të ndara.

“Çështja e presidentit është çështje e ndarë, kryhet ligji në lexim të parë e të dytë e mandej janë çështje që vjen edhe presidenti”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së tha se situata aktuale, sipas tij, është rezultat i mungesës së vullnetit politik nga partia që është në pushtet. Ai e konsideroi këtë situatë edhe si një faktor që mund të ndikojë në destabilizimin e vendit.

“Nuk ka asnjë pengesë përveç mungesës së vullnetit të partisë shumicë në pushtet”, u shpreh ai.

Hamza tha gjithashtu se nuk beson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, duke theksuar se, sipas tij, kanë ekzistuar alternativa për të siguruar stabilitet institucional.

Duke iu referuar mundësive për bashkëpunim politik, ai tha se nëse nuk preferohet bashkëpunimi me PDK-në, atëherë mund të kërkohet një marrëveshje me LDK-në.

“Nuk po e don me PDK-në, bëje me LDK-në. Me LDK-në s’po më pëlqen, me PDK-në s’po më pëlqen. Me LDK pati kritera tjera, me PDK-në pati kritera tjera. Andaj është përgjegjëse për situatën e krijuar në vend”, deklaroi Hamza.

Në fund, Hamza foli edhe për zhvillimet e një dite më parë, duke shprehur keqardhje për përdorimin e dhunës. Ai tha se gjatë ditës kishte qenë i angazhuar në Kuvend dhe se nuk e kishte parë drejtpërdrejt atë që kishte ndodhur.

“Më vjen keq për çka ndodhi dje. Gjithmonë kërkoj që çdo gjë të jetë demokratike dhe ligjore”, tha ai.

Hamza shtoi se pamjet e publikuara në media nuk ishin të mira për t’u parë dhe e cilësoi përdorimin e dhunës si jo proporcional. /Telegrafi/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button