PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

Policia e Kosovës ka njoftuar për masat që ka marrë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa ka dhënë detaje edhe për zhvillimet e mbrëmshme.

Sipas Policisë, gjatë protestës së kaluar disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.

Policia ka thënë se, për ta kontrolluar situatën, ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

Tre persona janë arrestuar, sipas njoftimit. Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas Policisë, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar.
Policia ka bërë të ditur se pas vlerësimit të veprimeve policore gjatë protestës, për dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Për protestën e sotme, Policia ka paralajmëruar angazhim të njësive policore dhe ka bërë të ditur se mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit “Skënderbeu”, varësisht nga situata në terren.

Ndërkohë, Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të shprehin pakënaqësitë në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

Protesta e sotme lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button