Pas përplasjeve me policinë, protestuesit sot pritet të mblidhen sërish në mëngjes

Protestuesit pritet të mblidhen sërish mëngjesin e 6 tetorit, kur edhe përfundon afati për zgjedhjen e presidentit dhe pritet të thirret seanca e radhës e Kuvendit. Protesta e gjatë e 5 tetorit përshkallëzoi në tensione dhe të lënduar pasi nuk u hodhën në votim në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.

Mbrëmë, gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.

Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.

PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button