Prokuroria heton në tri pista incidentin e helmimit të banorëve të Gostivarit me ujë të pijshëm

Prokuroria e Gostivarit po shqyrton mundësinë e zgjerimit të hetimit për helmimin e qytetarëve nga ndotja e ujit të pijshëm. Nga Prokuroria konfirmojnë për Alsat se po hetohen tri pista, duke filluar nga incidenti i ndotjes, projekti për përmirësimin e ujësjellësit “SECO 2” i cili është zvarritur me vite, si dhe veprimet e institucioneve pas denoncimeve paraprake të qytetarëve për cilësinë e ujit.
“Hetimi vijon dhe intensivisht po mblidhen prova në bazë të urdhrave të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar. Prokuroria heton, si në lidhje me ngjarjen e ndotjes së ujit për pije, ashtu edhe në lidhje me projektin për përmirësimin e furnizimit me ujë, por edhe në lidhje me veprimin e denoncimeve paraprake për ndotjen e ujit për pije në Gostivar. Pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve do të sillet vendim prokurorial, ndërsa opinioni do të njoftohet”, theksoi Prokuroria Themelore Publike Gostivar.


