Sulejmani: Punimet në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë drejt përfundimit

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, së bashku me përfaqësues të Qeverisë së VLEN-it, ka inspektuar sot punimet në objektin e ri të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë.
Sulejmani tha se punimet në objekt janë drejt përfundimit dhe se, përveç nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri”, në këtë objekt do të zhvillojnë mësimin edhe paralelet në gjuhën shqipe të shkollës së mesme teknike “Nace Buçoni”.
Sipas tij, punimet e parapara me kontratë pritet të përfundojnë deri në muajin nëntor, ndërsa për sistemin e ngrohjes do të sigurohen mjete shtesë përmes një aneks-marrëveshjeje.
“Punimet janë pothuajse kah fundi. Tash mbetet me një aneks-marrëveshje të shtojmë edhe disa mjete financiare për çështjen e ngrohjes së shkollës”, deklaroi Sulejmani.
Ai bëri të ditur se më pas do të hapet edhe një procedurë e prokurimit publik për sistemin e pompave të ujit, i cili do të përdoret për ngrohjen e objektit.
Sulejmani tha se pas një pritjeje më shumë se 20-vjeçare, nxënësit e Kumanovës së shpejti do të kenë mundësi të ndjekin mësimin në kushte moderne.
“Jemi shumë të kënaqur nga gjithë kjo që pamë sot. Pas një pritjeje më shumë se 20-vjeçare, shumë shpejt nxënësit e Kumanovës do të mund ta ndjekin procesin edukativo-arsimor në kushte super moderne”, tha ai.
Sipas parashikimeve të tij, të gjitha punimet në objekt, përfshirë edhe pjesët që lidhen me pajisjet dhe sistemet përcjellëse, pritet të përfundojnë maksimumi deri në qershor, me çka nxënësit do të mund ta nisin vitin shkollor në objektin e ri.


