Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për Specialen

Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Nëntë anëtarë të Komisionit votuan pro miratimin të Ligjit për Specialen, nuk kishte asnjë votë kundër, dhe asnjë abstenim, shkruan Reporteri.net.

Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.

“Jemi në një situatë që ne si komision të gjithë njëzëri do ta miratojmë ndryshimin e ligjit. Ne në këtë rend hierarkik kushtetues duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në emër të deputetëve të LVV-së do ta japim votën pro. Do të ndihmojmë të kalojmë këtë situatë sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë tonë. Katër krerët e UÇK-së duhet të prezumohen të pafajshëm sepse janë të pafajshëm. Vota jonë do të jetë pro ndryshimeve”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tek ka arsyetuar kërkesën për ndryshim të Ligjit ka thënë se me të synohet që Gjykatës Speciale, t’i merret një pjesë e juridiksionit.

“E kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim as Kushtetutën, as detyrimet tona ndërkombëtare, krejt çfarë kemi bërë është që përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara që është një ligj i zakonshëm, në i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, ajo është pjesa e krimeve të luftës e cila nuk ka qenë kurrë qellim për Gjykatën Speciale”, është shprehur Gruda.

Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se procesi gjyqësor 6-vjeçar na dëshmoi se ajo për çka është formuar kjo gjykatë është tejkaluar.

“Ajo qe duhet ne si Komision për Legjislacion ta themi është se ndryshimi mbi premisat e standardeve politike janë shumë normale për shkak se ligjet nuk janë libra të shenjtë që nuk ndryshojnë. Ato ndryshojnë me kohë. Institucioni duhet të reflektojë dhe ne sot jemi këtu për t’i bërë këto veprime”, ka thënë ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button