Mexhiti: Në Saat Kullë u rindërtua e gjithë infrastruktura, nga ujësjellësi deri te asfalti

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për përfundimin e punimeve infrastrukturore në zonën e Saat Kullës, ku sipas tij, ndërhyrjet kanë përfshirë jo vetëm asfaltimin e rrugëve, por edhe rindërtimin e plotë të rrjetit nëntokësor.
Mexhiti bëri të ditur se është ndërtuar rrjet i ri i ujësjellësit në gjatësi prej 1.400 metrash, me lidhje për çdo shtëpi dhe hidrantë nëntokësorë në çdo rrugë.
Gjithashtu, sipas tij, është ndërtuar kanalizim i ri fekal dhe atmosferik, me lidhje për të gjitha shtëpitë dhe gryka të reja për mbledhjen dhe largimin e ujërave nga rrugët. Në përfundim, është hequr asfalti i vjetër dhe janë asfaltuar të gjitha rrugët.
“Tek Saat Kulla nuk është rregullu veç asfalti. Është rindërtu e gjithë infrastruktura, që nga themelet”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai theksoi se projekti nuk është kufizuar në ndërhyrje sipërfaqësore, por ka përfshirë të gjitha fazat e infrastrukturës, nga rrjetet nëntokësore deri te rrugët.
“Pra, jo arnime dhe ndërhyrje sipërfaqësore. Por, ujësjellës i ri. Kanalizim i ri. Drenazhim i ri. Asfalt i ri”, ka shkruar Mexhiti.
Në fund, kryetari i Çairit e cilësoi projektin si investim të plotë në infrastrukturën e zonës, duke përfunduar njoftimin me mesazhin: “Vazhdojmë”.



