Në Gjykatën Penale vazhdon gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”

Me vazhdimin e procedurës së provave, sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdon gjykimi për lëndën “Lotaria Shtetërore”, në të cilën akuzohen ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ish-drejtori i SHA-së “Lotaria Shtetërore”, Perparim Bajrami, si dhe gjashtë persona të tjerë.

Në njërën nga seancat e mëparshme, Prokuroria Publike prezantoi dokumentacion të gjerë lidhur me veprimtarinë e SHA-së “Lotaria Shtetërore”, prokurimin e terminaleve të videolotarisë dhe marrëdhëniet me partnerin e huaj “Casinos Austria”.

Prokuroria prezantoi marrëveshje për investime të përbashkëta dhe themelimin, në vitin 2013, të shoqërisë “Lotaria Shtetërore Video e Republikës së Maqedonisë – Casinos Austria SHPK Shkup”, vendime qeveritare, shënime stenografike dhe procesverbale nga seancat e Qeverisë, si dhe dokumentacion lidhur me programin e punës së SHA-së “Lotaria Shtetërore” për vitin 2023.

Pjesë e materialeve provuese ishin edhe dokumente financiare, përfshirë urdhërpagesa në valutë të huaj, ekstrakte bankare, kartela analitike të operatorëve ekonomikë, fatura, llogari dhe fletëdërgesa të lidhura me blerjen e terminaleve të videolotarisë.

U shqyrtuan gjithashtu njoftime të partnerit të huaj të dërguara Qeverisë, në të cilat trajtohen çështje që lidhen me të drejtën për organizimin e lojërave elektronike të fatit dhe funksionimin e shoqërisë së përbashkët.

Në seancën e kaluar, mbrojtësit e të akuzuarve paraqitën vërejtjet e tyre lidhur me provat e propozuara nga Prokuroria. Gjatë kësaj seance u ngritën çështje që lidhen me interpretimin e marrëdhënieve kontraktuale me partnerin e huaj, shtrirjen e të drejtave për organizimin e lojërave të fatit, si dhe rrethanat që kanë të bëjnë me blerjen dhe përdorimin e makinave të lojërave të fatit.

Në lëndën “Lotaria Shtetërore”, përveç Grubit dhe Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Sipas aktakuzës, ata, duke tejkaluar autorizimet zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SHA-së “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh.

Të gjithë të akuzuarit, gjatë procedurës së deritanishme, janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.

Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button