CNN: Firma e Kushnerit, aksionare kryesore në grupin që financon kompani të lidhura me ushtrinë izraelite

Kompania private e investimeve të Jared Kushnerit, Affinity Partners, është aksionari më i madh në një grup financiar izraelit që investon në kompani që furnizojnë ushtrinë izraelite, ndërkohë që ai ka shërbyer si negociator kyç i SHBA-së për Rripin e Gazës, raportoi të enjten CNN, transmeton Anadolu.

Affinity Partners ka dyfishuar aksionet e saj në Phoenix Financial me bazë në Tel Aviv në janar të vitit 2025, pak para inaugurimit të vjehrrit të tij Donald Trump, duke u bërë aksionari më i madh i kompanisë. Sipas raportimit, Kushner më vonë e ka përshkruar Phoenix-in si “investimin më të mirë” të Affinity.

Phoenix Financial ka investuar të paktën 456 milionë dollarë në nëntë kompani të lidhura me industrinë ushtarake që janë të përfshira në makinerinë luftarake të Izraelit, përfshirë 265,1 milionë dollarë në Elbit Systems, prodhuesin më të madh izraelit të armëve, raportoi CNN.

Affinity Partners, e cila është në pronësi të plotë të Kushnerit, ka shitur një të katërtën e aksioneve të saj në Phoenix në korrik për më shumë se 340 milionë dollarë, më shumë se pesëfishin e shumës së paguar fillimisht për aksionet, dhe ende zotëron një pjesë me vlerë mbi 1 miliard dollarë, thuhet më tej në lajm.

Kushner ka shërbyer si negociator kyç i SHBA-së për Gazën, ndërkohë që nuk ka mbajtur asnjë post zyrtar qeveritar, duke punuar si këshilltar vullnetar i Trumpit.

Si i dërguar vullnetar, Kushner nuk është i detyruar të deklarojë pasurinë e tij.

Avokati i Kushnerit i ka thënë CNN-it se ai nuk ka drejtuar kurrë vendimet e Phoenix-it për investimet dhe nuk ka pasur asnjë rol në investimet e tij në nëntë kompanitë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, ka thënë se “aktivitetet personale të biznesit të Kushnerit nuk kanë të bëjnë me angazhimet e tij diplomatike, të cilat ai i kryen në baza vullnetare me kërkesë të presidentit”.

CNN-i tha se nuk ka gjetur asnjë tregues se veprimet diplomatike të Kushnerit kanë ndikuar drejtpërdrejt në investimet që ka shqyrtuar.

Ushtria izraelite nisi luftë gjenocidale në Gaza në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 74.000 njerëz, duke plagosur mbi 175.000 dhe duke shkaktuar shkatërrime masive.

Një marrëveshje armëpushimi u arrit në tetor 2025, megjithëse Izraeli i ka vazhduar sulmet dhe ka mbajtur kufizime për hyrjen e ushqimeve, ilaçeve dhe materialeve për strehim në Gaza, ku pothuajse e gjithë popullsia përballet me kushte të rënda humanitare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button