Fluturimi i dytë i Flydubai nga Dubai për në Tel Aviv kthehet mbrapsht gjatë rrugës

Një fluturim i dytë i Flydubai që udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit u kthye sot, ndërsa arsyeja e incidentit nuk ishte menjëherë e qartë, transmeton Anadolu.
“Ynet” raportoi se fluturimi FZ1081 i Flydubai u kthye gjatë rrugës për në Tel Aviv. Sipas raportimit, nuk kishte të dhëna se incidenti me FZ1081 ishte i lidhur me një fluturim të mëparshëm të Flydubai, FZ1073, i cili shkaktoi alarm për rrëmbim para se të kryente ulje emergjente në Arabinë Saudite.
Më herët sot, FZ1073 që udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, lëshoi sinjal emergjence dhe u ul i sigurt në aeroportin ndërkombëtar “Prince Sultan bin Abdulaziz” në Tabuk të Arabisë Saudite.
Aeroporti tha se si kapiteni, ashtu edhe oficeri i parë u plagosën dhe u transferuan në spital për trajtim mjekësor.
“Ynet” raportoi versione kontradiktore lidhur me rrethanat e incidentit, ndërsa kanali izraelit 12 tha se incidenti nuk dukej të kishte lidhje me sigurinë dhe se autoritetet po shqyrtonin nëse sinjali i emergjencës ishte aktivizuar aksidentalisht pas një debati mes pilotëve.



