Pikë kthese në rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut: Kaluan 8 vjet nga referendumi që çoi në ndryshimin e emrit

Kanë kaluar 8 vjet nga referendumi konsultativ i mbajtur më 30 shtator 2018 në Maqedoninë e Veriut me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes shumëvjeçare me Greqinë lidhur me emrin e vendit, raporton Anadolu.
Pas negociatave shumëvjeçare nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB), Marrëveshja e Prespës e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Greqisë në qershor 2018 dhe referendumi që pasoi, rezultuan me ndryshimin e emrit kushtetues të vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa njëkohësisht hapën rrugën për heqjen e kundërshtimeve të Athinës ndaj proceseve të anëtarësimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).
Në referendumin e mbajtur më 30 shtator 2018, qytetarëve iu parashtrua pyetja: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.
Në referendum morën pjesë 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, me çka nuk u arrit censusi i nevojshëm prej 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Nga votuesit që morën pjesë në referendum, 91,46 për qind votuan “për”.
Pas referendumit filloi procesi i ndryshimeve kushtetuese të parashikuara me marrëveshjen. Pas miratimit nga Kuvendi i Maqedonisë, edhe Kuvendi i Greqisë ratifikoi Marrëveshjen e Prespës.
Emri kushtetues i vendit zyrtarisht u bë “Republika e Maqedonisë së Veriut” më 15 shkurt 2019.
– Anëtarësimi në NATO u realizua
Pas Marrëveshjes së Prespës, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO u përshpejtua. Vendet anëtare të NATO-s nënshkruan në shkurt 2019 protokollin për anëtarësimin e vendit në Aleancë.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme kombëtare të ratifikimit, Maqedonia e Veriut më 27 mars 2020 u bë anëtarja e 30-të e NATO-s.
Me këtë, anëtarësimi në NATO, një nga rezultatet më të rëndësishme të referendumit të vitit 2018 dhe Marrëveshjes së Prespës, u përfundua për rreth 18 muaj.
– Vazhdon procesi për anëtarësimin në BE
Procesi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE nuk përparoi me të njëjtin ritëm si procesi i anëtarësimit në NATO.
BE-ja në qershor 2022 mori vendim për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut ndërsa për përparimin faktik të negociatave parashihet që hapja e kapitujve për anëtarësimin në BE të fillojë pasi Maqedonia e Veriut të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që rrjedhin nga protokolli dypalësh i nënshkruar me Bullgarinë.
Në kuadër të kësaj, ndër të tjera, kërkohet përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Në Maqedoninë e Veriut, e cila nuk mund të hapë kapituj me BE-në pa përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, për këtë nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvendin me 120 vende, përkatësisht 80 deputetë.
Sipas këtyre ndryshimeve, në formulimin e Kushtetutës ku përmenden “qytetarët e Maqedonisë së Veriut; maqedonasit, shqiptarët, turqit, vllehët, serbët, romët dhe boshnjakët”, duhet të shtohen edhe “bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët”.
Në procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, i nisur me Marrëveshjen e Prespës dhe i formësuar nga referendumi i vitit 2018, anëtarësimi në NATO ka përfunduar ndërsa vazhdon procesi politik dhe kushtetues për anëtarësimin në BE.



