Kryeministri britanik: Brexit-i ka shkaktuar më shumë dëm sesa të mira

Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se do t’i “paraqesë vendit” opsione të ndryshme për marrëdhëniet afatgjata të Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian (BE), duke argumentuar se Brexit-i ka shkaktuar “më shumë dëm sesa të mira”, transmeton Anadolu.
Duke folur në konferencën vjetore të Partisë Laburiste në Liverpul, Burnham tha se Britania nuk mund të ketë “rrugën e qartë që i nevojitet për pjesën tjetër të këtij shekulli” pa vendosur për marrëdhëniet e saj të ardhshme me BE-në, të cilën ai e përshkroi si “ende tregun tonë më të madh”.
Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE-ja në vitin 2020, katër vjet pas një referendumi në të cilin rreth 52 për qind e votuesve zgjodhën largimin.
Kryeministri britanik tha se do ta shfrytëzonte mundësinë e samitit për të paraqitur zgjedhjet që ka në dispozicion Britania.
“Dhe ka opsione të ndryshme dhe unë do të shoh nëse mund të gjejmë një konsensus rreth njërës prej tyre, e cila do të na japë qartësi për pozicionin tonë dhe të ardhmen e kontinentit ku jetojmë”, tha ai.
Burnham njoftoi gjithashtu se programi i ardhshëm elektoral i Partisë Laburiste do të përmbajë një angazhim për ndryshimin e sistemit zgjedhor të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai tha se po krijonte një “komision të ri kombëtar për reformën zgjedhore” dhe ftoi të gjitha partitë politike të marrin pjesë në punën e tij.
“Në vitet e kaluara, ju keni votuar dy herë në mbështetje të reformës zgjedhore. Ju dëgjoj dhe jam dakord me ju”, tha Burnham.
“Ne do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme me një angazhim në programin tonë për të ndryshuar sistemin zgjedhor, në mënyrë që vota e secilit të llogaritet dhe zëri i secilit të dëgjohet”, shtoi ai.



