Mexhiti në Nju Jork me Wesley Clark: Mirënjohja ndaj SHBA-ve mbetet e fuqishme

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vlerësuar marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar rolin e aleancës amerikane në periudhat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.
Përmes një statusi në Facebook, Mexhiti bëri të ditur se në Nju Jork ka marrë pjesë në një mbrëmje të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ku ishte i pranishëm edhe ish-gjenerali amerikan Wesley Clark, si dhe Glauk Konjufca.
“Disa miqësi i ndërton diplomacia. Disa të tjera i vulos historia. E miqësia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara i ka të dyja”, shkroi Mexhiti.
Duke iu referuar gjeneralit Wesley Clark, Mexhiti tha se emri i tij lidhet me një nga periudhat më vendimtare të historisë së re shqiptare.
“Për ne shqiptarët, emri i gjeneralit Clark lidhet me një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë të re, kur miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara morën një kuptim historik”, deklaroi ai.
Mexhiti theksoi se, edhe më shumë se dy dekada pas këtyre zhvillimeve, mirënjohja ndaj Clark mbetet e fortë.
“Mirënjohja ndaj tij mbetet po aq e fuqishme”, shkroi ai, duke shtuar se ishte kënaqësi ta takonin dhe t’i shprehnin nga afër respektin për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara.
Sipas Mexhitit, mbështetja amerikane ishte veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur shqiptarët kishin nevojë për “miq dhe aleatë të fuqishëm”.



