Holanda kritikon “përpjekjet për të minuar” Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Kryeministri i Holandës, Rob Jetten dënoi të enjten “përpjekjet për të minuar” Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke paralajmëruar se veprime të tilla kërcënojnë rendin më të gjerë juridik ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
“Merrni parasysh përpjekjet që kemi parë për të minuar GJNP-në, e cila është e vendosur në vendin tim, në qytetin tim. Kjo minon rendin juridik ndërkombëtar në tërësi dhe kjo na prek të gjithëve”, tha Jetten në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Ai theksoi se GJNP-ja u krijua për të luftuar mosndëshkimin dhe bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mbrojë gjykatën dhe institucionet e tjera që mbështesin ligjin ndërkombëtar. “Unë besoj se mund të ketë vetëm një përgjigje. Të thuash larg duart nga GJNP-ja dhe nga të gjitha ato institucione të tjera që mbrojnë rendin juridik ndërkombëtar”, u shpreh Jetten.
Kryeministri holandez tha se rendi juridik ndërkombëtar po përballet me presion në rritje, duke përmendur shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut si dhe minimin e institucioneve të krijuara për të mbrojtur njerëzit dhe popullatat.
Ai vuri në dukje vuajtjet humanitare në Gaza dhe Sudan, mes konflikteve të tjera. “Kur fuqitë e mëdha zgjedhin të ndjekin vetëm interesat e tyre, është joshëse të përgjigjen në mënyrë mbrojtëse”, tha Jetten duke u kërkuar vendeve që të ndjekin “interesin e tyre të përbashkët” përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
Jetten u bëri thirrje fuqive të mesme të marrin drejtimin në nxitjen e bashkëpunimit ndërsa shtoi se vendet në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine duhet të kenë rol më të plotë në vendimmarrjen globale. Ai nënvizoi inteligjencën artificiale si një fushë që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, duke pyetur nëse vendimet mbi teknologjinë duhet t’i lihen “një grupi të vogël kompanish dhe vendesh” apo të adresohen përmes OKB-së.



