Shtetasi i Hungarisë kapet me 200,000 euro në Tabanoc

Ekipet mobile të Drejtorisë së Doganave kanë parandaluar tentimin për futjen e paligjshme të valutës së padeklaruar në vlerë prej 200 mijë eurosh, pasi një shtetas hungarez, gjatë hyrjes në vend në pikën kufitare Tabanoc, në kundërshtim me ligjin, nuk e kishte deklaruar shumën te zyrtarët doganorë.
Për shkak të dyshimeve, automjeti u përzgjodh nga një ekip mobil për kontroll dhe u krye një kontroll i detajuar. Gjatë kontrollit, midis sediljeve u gjet një çantë e zezë prej pëlhure, në të cilën kishte valutë në shumën totale prej 65 mijë eurosh.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, në një çantë shpine që ndodhej në sediljen e pasme u gjet një çantë e vogël e zezë, e mbuluar me një kompjuter, brenda së cilës kishte 37.650 euro.
Në një valixhe që ndodhej gjithashtu në sediljen e pasme, mes rrobave, u gjet edhe një çantë tjetër e zezë, me 97.350 euro.
Nga shuma totale prej 200 mijë eurosh në para të padeklaruara, udhëtarit i janë kthyer 10 mijë euro, në përputhje me Ligjin për Punë Devizore, ndërsa 190 mijë euro janë mbajtur me vërtetim për mbajtjen e mjeteve monetare.
Ndaj personit është paraqitur kallëzim përkatës për kundërvajtje.



