Aksioni në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, kallëzim penal ndaj 8 personave! Sekuestrohen mbi 100 mijë euro, barna, suplemente dhe sende të tjera

Një grup i dyshuar për kontrabandë të mallrave, korrupsion dhe tregti të paligjshme me barna është goditur në një aksion të zhvilluar dje nga policia në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, përcjell TV21. Në aksion, të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa ndaj gjithsej tetë personave është ngritur kallëzim penal dhe është hapur procedurë hetimore.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar mbi 100 mijë euro, 16 pllaka në ngjyrë ari, cigare dhe duhan pa pulla akcize, sasi të mëdha barnash e suplementesh, telefona celularë dhe sende të tjera. MPB thotë se aktiviteti kriminal ka zgjatur nga viti 2024 deri në vitin 2026, ndërsa dyshohet se grupi ka organizuar futjen dhe magazinimin e cigareve dhe duhanit pa deklarim, si dhe rishitjen e tyre. Përmes ryshfetit ndaj një zyrtari doganor, mallrat dyshohet se janë kaluar përmes vijës doganore pa kontroll dhe pa paguar detyrimet.

“Në kuadër të aktiviteteve kriminale, përmes dhënies së ryshfetit zyrtarit doganor, anëtarëve të grupit u është mundësuar kalimi i papenguar i mallrave akcizore përmes vijës doganore pa deklarim dhe pa pagesën e detyrimeve ligjore, si dhe futja e paligjshme e barnave dhe suplementeve të destinuara për shitje. Me një pjesë të veprimeve të konstatuara është shkaktuar dëm material ndaj buxhetit të shtetit, përkatësisht janë shmangur detyrimet doganore, akciza dhe TVSH-ja në shumë të konsiderueshme”, njofton MPB.

Hetimi përfshin edhe tregtinë e paligjshme me barna. Prokuroria thotë se dy nga të dyshuarit dyshohet se kanë importuar, magazinuar dhe ofruar për shitje pa autorizim barna dhe produkte për përmirësimin e aktivitetit seksual. Gjatë kontrolleve janë gjetur preparate për diabetin, sëmundjet e zemrës dhe sistemit kardiovaskular, sëmundje neurologjike e psikiatrike, reumatologjike dhe autoimune, antibiotikë, kortikosteroide, hormone, insulinë, antikoagulantë dhe benzodiazepinë. Është gjetur edhe “KAMAGRA oral jelly”, që jepet me recetë mjekësore, si dhe produkte të tjera për potencë në formë tabletash, xhelesh, pastash, mjalti dhe çokollatash.

Prokuroria sqaron se hetimi nisi pas analizës së të dhënave nga telefoni i të dyshuarit të parë, i cili ishte sekuestruar gjatë një kontrolli në janar. Atëherë në banesën e tij ishin gjetur edhe sasi të mëdha cigaresh dhe para në disa valuta.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari i parë i ka premtuar mjete financiare zyrtarit doganor që të mos kryejë kontroll doganor të një automjeti në të cilin transportoheshin cigare. Zyrtari doganor e ka pranuar premtimin dhe e ka lënë automjetin të kalojë pa kontroll, ndërsa në dorëzimin e parave ka ndërmjetësuar i dyshuari i gjashtë, shtetas turk”, njofton Prokuroria.

Në kontrollet e djeshme, në dy kasaforta metalike të fshehura në tavanin e varur të banesës së të dyshuarit të parë, janë gjetur 86.200 euro dhe 16 pllaka me ngjyrë ari. Në automjetin e tij janë gjetur edhe 6.465 euro dhe 62 mijë denarë. Me paratë e gjetura gjatë kontrollit në janar, vetëm te i dyshuari i parë janë sekuestruar shuma të konsiderueshme në valuta të ndryshme, përfshirë 30 mijë dollarë kanadezë, 35 mijë dollarë australianë, 12.950 euro dhe 69 mijë denarë.

Tetë personat dyshohen për disa vepra penale, përfshirë kontrabandë, shmangie të pagesës së akcizës, fshehje të mallrave të kontrabanduara, mashtrim doganor, dhënie dhe marrje ryshfeti, prodhim dhe nxjerrje në qarkullim të mjeteve të dëmshme për trajtim, si dhe pastrim parash.

Për tre të dyshuarit, prokurori ka kërkuar paraburgim, ndërsa për tre të tjerë masa kujdesi. Dy të dyshuar aktualisht janë të paarritshëm për organet e ndjekjes. Të gjitha paratë, mallrat dhe sendet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe analizave të mëtejshme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button