Alibaba e bën publik modelin e inteligjencës artificiale që zbulon kancerin dhe 150 gjendje mjekësore

Alibaba ka publikuar me burim të hapur një model të inteligjencës artificiale, i aftë të identifikojë nga skanimet e tomografisë së kompjuterizuar (CT) afër 150 gjendje të abdomenit, përfshirë kanceret, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës South China Morning Post me seli në Hong Kong, modeli vizual-gjuhësor, i quajtur Damo Radar, u zhvillua nga krahu kërkimor Damo Academy i Alibaba-s.
Modeli analizon skanimet CT me kontrast që mbulojnë 18 organe të abdomenit dhe mund të identifikojë një gamë të gjerë sëmundjesh dhe anomalish, përfshirë tumoret malinje.
Damo Radar arriti një rezultat mesatar prej 0,913 për sipërfaqen nën kurbë (AUC) në 146 gjetje klinike, bazuar në afro 40.000 ekzaminime reale, duke iu afruar rezultatit maksimal prej 1,0.
Ekipi hulumtues e përshkroi atë si “modelin e parë në botë të imazherisë mjekësore me përdorim të përgjithshëm në nivel eksperti”, duke shtuar se në të ardhmen mund të zgjerohet edhe në lloje të tjera të imazherisë mjekësore.
Në një studim ku morën pjesë 26 radiologë nga disa spitale, modeli në përgjithësi tregoi performancë më të mirë se 23 prej pjesëmarrësve.
Me ndihmën e modelit, radiologët gjithashtu reduktuan me 10 për qind diagnozat e humbura dhe shkurtuan kohën e diagnostikimit me më shumë se 30 për qind.



