Saraji liron hapësirën publike të uzurpuar, Elmazi: Hapësirat publike janë pasuri e përbashkët

Inspektorati Komunal i Komunës së Sarajit ka ndërmarrë sot veprime për lirimin e një hapësire publike, e cila ishte uzurpuar dhe rrethuar.
Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, njoftoi se pas ndërhyrjes së Inspektoratit Komunal, rrethojat janë larguar dhe hapësira është liruar, duke iu rikthyer përdorimit të banorëve.
“Hapësira publike nuk mund të pengohet apo të shfrytëzohet në mënyrë individuale në dëm të banorëve të tjerë”, deklaroi Elmazi.
Sipas tij, ndërhyrja ka pasur për qëllim rikthimin e hapësirës në funksion të komunitetit dhe garantimin e qasjes së lirë për banorët.
“Hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe duhet të mbeten të lira dhe të qasshme për të gjithë”, theksoi kryetari i Sarajit.
Komuna e Sarajit ka bërë të ditur se hapësira, pas largimit të rrethojave, tashmë është e lirë dhe e rikthyer në përdorim të banorëve.


