11 javë pas formimit, MPB shpërndan Njësinë për luftë kundër drogës në Kumanovë: Nuk dha rezultate

11 javë pas formimit të ekipit të punës për luftë kundër drogës, Ministria e Punëve të Brendshme ka konstatuar rezultate të pamjaftueshme dhe ka shpërndarë njësinë rajonale në SPB Kumanovë, përcjell TV21. Vendimi është marrë me propozim të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, me miratimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Njësia ishte ngarkuar me luftën kundër tregtisë dhe shpërndarjes së drogës dhe substancave psikotrope në Kumanovë, Kratovë dhe Kriva Pallankë. Të gjithë anëtarët janë shkarkuar nga pozitat e deritanishme dhe janë sistemuar në vende të tjera pune. Në vendet e tyre janë caktuar zyrtarë të rinj policorë. Janev deklaroi se në luftën kundër kriminalitetit nevojiten aksione konkrete, sekuestrim i drogës dhe zbulim i autorëve. Ai paralajmëroi se do të ndërmerren masa shtesë në ato raste kur do të konstatohet mosangazhim ose mungesë rezultatesh./tv21.tv


