Shefja e Parlamentit Evropian: Australia dhe Zelanda e Re mund të ndjekin Kanadanë drejt anëtarësimit të asociuar në BE

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka deklaruar se Australia dhe Zelanda e Re mund të ndjekin Kanadanë në synimin për një “anëtarësim të asociuar” të propozuar me Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Duke folur për Euronews para fjalimit në Parlamentin Evropian të kryeministrit kanadez, Mark Carney, Metsola tha se statusi i propozuar mund të ofrojë një kornizë midis anëtarësimit të plotë në BE dhe statusit të vendit kandidat.

“Ka vende me të cilat duam t’i thellojmë marrëdhëniet tona”, tha Metsola, duke shtuar se nisma mund të inkurajojë edhe vende të tjera të kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë me BE-në.

“Nuk kam dyshim se kjo do të përfshijë edhe vende të tjera dhe të tjerë do të trokasin në derën tone. Në kohë të tilla pasigurie, të kesh miq është e rëndësishme”, tha Metsola.

Metsola tha se diskutimet mbi hollësitë teknike të anëtarësimit të asociuar mbeten në një fazë të hershme, por mund të përfshijnë lidhje më të thella tregtare, qasje në lëndë të para kritike dhe bashkëpunim më të madh rregullator.

Dje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi “anëtarësim të asociuar” për Kanadanë në fjalimin e saj vjetor për Gjendjen e Unionit.

Propozimi vjen ndërsa Otava synon të diversifikojë partneritetet e saj ndërkombëtare mes tensioneve të shtuara tregtare me SHBA-në, partnerin më të madh tregtar të Kanadasë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Washingtoni mund të shqyrtojë vendosjen e tarifave shtesë ndaj BE-së nëse afrimi i mundshëm i Kanadasë me bllokun bëhet “armiqësor”.

Metsola hodhi poshtë sugjerimin se bashkëpunimi i propozuar i BE-së me Kanadanë drejtohet kundër SHBA-së.

Ajo tha se BE-ja i trajton veçmas marrëdhëniet e saj me Kanadanë dhe SHBA-në dhe e përshkroi bllokun si mbështetës të bashkëpunimit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button