Siria diskuton me Gjermaninë dhe Belgjikën bashkëpunimin për kthimin e refugjatëve

Zyrtarët sirianë zhvilluan të enjten bisedime të ndara me delegacione nga Gjermania dhe Belgjika për bashkëpunimin lidhur me kthimin dhe ri-integrimin e refugjatëve, si dhe projektet e zhvillimit, transmeton Anadolu.

Sipas Agjencisë Arabe Siriane të Lajmeve (SANA), ministri sirian i Administrimit Lokal dhe Mjedisit, Mohammed Anjarani, diskutoi prioritetet e zhvillimit me një delegacion të agjencisë belge për zhvillim Enabel, të kryesuar nga drejtori rajonal për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Fqinjësinë Lindore, Patrick Goudisart.

Sipas Ministrisë së Administrimit Lokal, takimi në selinë e ministrisë në Damask trajtoi projektet që mbështesin kthimin dhe ri-integrimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit, si dhe mekanizmat për mbështetjen e financimit klimatik.

Të dyja palët diskutuan gjithashtu mënyrat për forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e partneriteteve në zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësimin e shërbimeve lokale dhe përballimin e sfidave mjedisore.

Enabel është një agjenci që zbaton programe të bashkëpunimit dhe zhvillimit ndërkombëtar, me fokus në sektorë që përfshijnë arsimin, shëndetësinë, punësimin, sipërmarrjen dhe qeverisjen.

Në një takim tjetër, Departamenti për Mërgimtarët dhe Refugjatët në Ministrinë e Jashtme të Sirisë zhvilloi bisedime me një delegacion të Ministrisë Federale të Brendshme të Gjermanisë për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit lidhur me çështjet e refugjatëve dhe kthimit të tyre.

Sipas SANA-s, palët diskutuan zhvillimin e kanaleve të komunikimit dhe shkëmbimin e informacionit dhe ekspertizës.

Ato theksuan rëndësinë e krijimit të një “mjedisi të sigurt, dinjitoz dhe të qëndrueshëm” për sirianët që kthehen, i cili do t’u mundësonte të vendoseshin dhe të ri-integroheshin në komunitetet e tyre lokale.

Në takim u diskutua gjithashtu shkëmbimi i ekspertizës dhe përfitimi nga përvojat dhe praktikat në menaxhimin e kthimit, integrimit dhe stabilizimit.

Palët siriane dhe gjermane ranë dakord të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin përmes kanaleve të qarta dhe të ndjekin çështjet e diskutuara, me qëllim që mirëkuptimet të shndërrohen në hapa konkretë.

Në janar të vitit 2025, presidenti Ahmed al-Sharaa tha se priste që shumica e sirianëve që jetojnë jashtë vendit të ktheheshin brenda dy vjetësh, duke e vlerësuar numrin e tyre në rreth 15 milionë pas luftës brutale të nisur nga regjimi i mëparshëm i Bashar al-Assadit gjatë revolucionit nga viti 2011 deri në vitin 2024.

Assadi, i cili sundoi për gati 25 vjet, u arratis në Rusi në dhjetor të vitit 2024, duke i dhënë fund sundimit disadekadësh të Partisë Baath, që kishte filluar në vitin 1963. Në janar të vitit 2025 u formua një administratë kalimtare e udhëhequr nga Sharaa.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button