Kryeministri i Suedisë jep dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson do të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vendit. Kështu njoftoi ai të enjten, pas numërimit përfundimtar të votave.
Partitë e opozitës së qendrës së majtë fituan 176 vende në votimin e së dielës për parlamentin, ndërsa blloku qeverisës i krahut të djathtë i Kristersson siguroi 173 vende.
“Tani është kryetari i parlamentit ai që do të udhëheqë fazën tjetër drejt një qeverie të re. Me këtë rast kërkoj që të lirohem nga detyra e kryeministrit për të lejuar që kjo punë të fillojë menjëherë”, tha Kristersson në një letër të postuar në rrjetet sociale X.
Rezultati i zgjedhjeve hap rrugën për një ndryshim qeverie, me udhëheqësen e partisë Social Demokrate, Magdalena Andersson, që pritet të rikthehet si kryeministre pas katër vitesh në opozitë.
Të gjitha votat për parlamentin me 349 vende janë numëruar, megjithëse rezultati mbetet subjekt i certifikimit zyrtar në ditët në vijim.
Për qendrën e majtë, fitorja mund të jetë vetëm hapi i parë në një proces të gjatë për të formuar një qeveri.



