Bekim Sali: UÇK-ja do të mbetet përgjithmonë krenaria e kombit shqiptar

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka reaguar për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke shprehur mbështetje për UÇK-në dhe duke theksuar se lufta për liri, sipas tij, nuk mund të gjykohet.

“Liria e një populli nuk mund të jetë subjekt i asnjë gjyqi”, shkruan Sali në një postim të tij.

Ai e cilëson UÇK-në si “krenaria e kombit shqiptar” dhe thotë se ajo u përball me atë që e përshkruan si fushatë të spastrimit etnik të Kosovës nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të mbetet përgjithmonë krenaria e kombit shqiptar në kapërcyell të shekujve, atëbotë kur makineria vrastare millosheviqiane ndërmori aktin e zhdukjes së një populli të tërë në fushatën e spastrimit etnik të Kosovës”, shprehet Sali.

Sipas tij, gjatë luftës pati “masakra me mijëra civilë të vrarë, gra të përdhunuara e njerëz të zhdukur”.

Sali thotë se tashmë pritet që edhe Gjykata Speciale në Hagë të japë vlerësimin e saj për çështjen.

“Sot të gjithë jemi në pritje të konfirmimit të këtij vlerësimi edhe nga Haga. Sepse barazimi i agresorit me viktimën do të ishte vrasje e dytë e viktimës”, shkruan ai.

Në fund të reagimit, zëvendëskryeministri e mbyll me mesazhin: “Liria ka emër!”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button