Italia zgjat kontrollet kufitare me Spanjën për 15 ditë të tjera

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi tha të martën se Italia ka zgjatur edhe për 15 ditë kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, transmeton Anadolu.
Piantedosi njoftoi zgjatjen në një deklaratë drejtuar Komisionit Evropian dhe homologëve të tij në BE, duke thënë se masa është e nevojshme për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të infiltrimit terrorist.
Vendimi u mor pas një vlerësimi nga Komiteti për Analizën e Imigracionit dhe Sigurisë Kufitare, i cili u mblodh të martën, sipas Ministrisë së Brendshme.
Spanja gjithashtu ka zgjatur kontrollet ndaj udhëtarëve nga Italia në porte dhe aeroporte deri më 8 tetor, raportoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE, duke cituar burime nga Ministria e Brendshme e Spanjës.
Madridi i vendosi fillimisht kontrollet më 8 gusht në përgjigje të masës së Italisë.
Ato u vendosën për një muaj dhe më pas u zgjatën deri më 23 shtator.
Masat u vendosën fillimisht nga Italia pas krizës me migrantët në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e veriut, në fund të korrikut.



